Shkolla e Magjistraturës, më datë 7 prill 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Konventa e Hagës për marrëveshjen për zgjedhjen e Gjykatës (2005) dhe Konventa e Hagës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore civile ose tregtare të gjykatave të huaja (2019). Implikimet ligjore dhe praktike, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Aida Bushati, Flutura Kola
Lehtësues: Olti Skrame
Qëllimi i këtij trajnimi është: Të fuqizojë kapacitetet profesionale të gjyqtarëve për të kuptuar dhe zbatuar në mënyrë të saktë dhe të njëtrajtshme Konventën e Hagës për marrëveshjet për zgjedhjen e gjykatës (2005) dhe Konventën e Hagës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore civile ose tregtare (2019), duke siguruar interpretimin korrekt të rregullave mbi juridiksionin ndërkombëtar dhe vlefshmërinë e klauzolave për zgjedhjen e gjykatës; aplikimin efektiv të mekanizmave për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja, në përputhje me standardet ndërkombëtare; identifikimin dhe menaxhimin e sfidave praktike që lidhen me procedurat ndërkufitare, përfshirë konfliktet e juridiksionit dhe procedurat paralele; forcimin e sigurisë juridike dhe parashikueshmërisë në marrëdhëniet civile dhe tregtare ndërkombëtare; Harmonizimin e praktikës gjyqësore kombëtare me zhvillimet më të fundit në të drejtën ndërkombëtare private dhe standardet evropiane.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Qëllimi dhe fusha e zbatimit të Konventave, roli i tyre në sigurimin e qarkullimit civil të vendimeve të gjyakatave të huaja. Nevoja për ratifikimin e Konventave nga a Shqipërisë- përafrimi me standarded europiane dhe nevoja e plotësimit të ligjit kombëtar si ligji për të drejtën ndërkombëtare private dhe Kodi i Procedurës Civile;
- Elementët kryesore të konventave që lidhen me juridiksionin indirekt të gjykatave, juridiksionin eksluziv të dhënë me marrëveshje, koncepti i qarkullimit civil të vendimeve të gjykatave të huaja;
- Përcaktimi i natyrës ekskluzive të marrëveshjes për zgjedhjen e gjykatës, si dhe pasojat që rrjedhin nga ajo, në veçanti detyrimi i gjykatave jo të zgjedhura për të hequr dorë nga juridiksioni;
- Vlerësimi i vlefshmërisë formale dhe substanciale të këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë respektimin e kërkesave për formën, ekzistencën e një vullneti të lirë të palëve dhe filtrat e juridiksionit dhe kushter për njohjen e një vendimi të gjykatave të huaja;
- Shkaqet për refuzimin e njohjes, të tilla si rendi publik, mungesa e njoftimit të rregullt, apo ekzistenca e vendimeve kontradiktore, të cilat kërkojnë një interpretim të kujdesshëm dhe të balancuar në praktikën gjyqësore.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe përmbarues gjyqësorë të Republikës së Shqipërisë.





Shkolla e Magjistraturës